Mesazhet seksuale, një problem i madh i të rinjve shqiptarë

0
120

Sexting është një pjesë e komunikimit seksual duke përdorur teknologjinë, si mesazhe tekst/fotografi/video të dërguara përmes celularit ose kompjuterit (Betbullying.org, 2009; Lenhart, 2009). Lehtësirat teknologjike kanë lejuar të rinjtë të ndërtojnë, mbajnë dhe mbështesin marrëdhëniet, organizojnë eventet dhe tubimet sociale dhe të ndajnë eksperiencat e reja dhe emocionuese me miqtë dhe bashkëmoshatarët e tyre (Horstmanshof & Power, 2005). Të rinjtë pëlqejnë veçanërisht sensin e rritur të kontrollit që teknologjia u jep atyre. Ata identifikojnë përfitime të tjera, si privatësia, sensi i mbrojtjes, argëtimi, eficenca, kostoja, komoditeti dhe aftësia për të ruajtur mesazhet e veçanta sentimentale (Horstmanshof & Power, 2005; Mahatanankoon & O’Sullivan, 2008; Massimini & Peterson, 2009).

Megjithatë, përdorimi i teknologjisë në formën e sexting përfshin shumë rreziqe që mund të ndikojnë negativisht një person emocionalisht, shoqërisht, fizikisht dhe ligjërisht.

Mes studentëve të gjimnazeve dhe universitetit, sexting po bëhet gjithnjë e më popullor, pasi teknologjia mbetet një mënyrë kryesore për komunikimin ndërpersonal. Deri më sot, pak studime kërkimore janë kryer rreth temës së sexting dhe pjesa më e madhe e këtyre studimeve kanë vlerësuar vetëm sjelljet e sexting. Pjesa më e madhe e studimeve janë kryer në vendet perëndimore, gjë e cila i referohet një kulture dhe mendësie ndryshe nga e jona. Gjithashtu, studimet e kryera në vendet perëndimore i referohen vitit 2008 dhe më pas.

Studimet e kryera në vendin tonë i referohen më së shumti varësisë nga teknologjia, rrjetet sociale, apo varësisë nga pornografia. Por, referuar vendit tonë, nuk kemi një matës që të tregojë nivelin e dërgimit të mesazheve me përmbajtje seksuale apo motivet e tyre. Ky studim do të masë sjelljen sexting të atyre që dërgojnë mesazhe me përmbajtje seksuale. Ky studim që do të paraqesim më poshtë, do të përcaktojë gjithashtu nivelet e vetëvlerësimit, qëndrimet sexting dhe normat subjektive kundrejt sexting të të gjithë pjesëmarrësve për të përcaktuar marrëdhënien ndërmjet këtyre variablave dhe sjelljeve sexting/synimeve të sjelljes.

Zhvillimi mjaft i vrullshëm i teknologjisë dhe shtimi i formave të ndryshme të komunikimit online, kanë bërë që t’i hapin rrugë fenomeneve jo të shëndetshme. Shtimi i aparateve teknologjike si telefon apo laptop, pajisja e të gjithë grupmoshave me to është një mangësi e edukimit tonë shoqëror.

Zhvillimi i teknologjisë është ndër faktorët kryesorë për zhvillimin e sexting. Këtij zhvillimi i bashkëngjitet lehtësia e aksesueshmërisë së internetit nga të gjithë, pakontrollueshmëria e tij, si dhe shtimi i shumtë i rrjeteve sociale të komunikimit, që dukshëm rrisin mundësitë e individëve për të shkëmbyer mesazhe/foto/video seksuale. Dëmet më të mëdha sexting i shkakton atëherë kur përdoret nga grupmoshat në fillim të pubertetit apo edhe adoleshentët. Por nuk është vetëm kaq. Përballja me imazhe të shumta seksuale të servirura si modele shoqërore, japin ndikimin e tyre që fëmijët të rriten pa rezerva në lidhje me ekspozimin haptas të trupit të tyre në forma që më pas mund edhe të bëhen të rrezikshme. Sexting priret të përdoret nga të rinjtë me qëllim eksplorimin e marrëdhënieve intime, pasi kjo formë u mundëson një lloj anonimati, nuk u lëndon direkt krenarinë apo vetëvlerësimin në rast dështimesh, ndodh në distancë dhe lehtëson ankthin e përballjes direkte. Gjithashtu përdoret nga të rinj të pasigurtë për anën e tyre seksuale, ku sexting e përdorin si një formë për të arritur konfirmimin për ekzistencën e tyre si qenie seksuale. Rreziku i përdorimit të sexting si përgjigje ndaj pasigurisë personale për aftësitë seksuale, individët mund të bëhen të dhunshëm, bulistë, kërcënues ose edhe të mbyllen në vetvete dhe të krijojnë modele shmangie nga marrëdhëniet intime dhe të thellojnë pasigurinë seksuale.
Në përfundim të këtij studimi mund të themi se ndër promotorët kryesorë të sexting është ndryshimi i normave sociale mbi këtë formë komunikimi dhe qasja jonë kulturore ndaj seksit. Gjatë analizimit të të dhënave arrijmë të dallojmë normat subjektive për sa i përket dërgimit të mesazheve/fotove/videove seksuale që kanë një predispozitë për të legjitimuar ketë formë komunikimi.

-Të gjithë dërgojnë mesazhe/foto/video seksuale për dikë, është një nga besimet subjektive të kampionit që legjitimon sexting, duke e besuar si diçka publike, të përdorshme nga të gjithë dhe normale.

-Ka presion të konsiderueshëm për të postuar foto seksuale online, është besimi tjetër subjektiv i pranuar në masë të konsiderueshme nga subjektet që shpjegon normën e re të krijuar mes adoleshentëve apo të rinjve. Kjo normë e re, e rimodeluar, ka në thelb arritjen e pranueshmërisë sociale nëpërmjet postimit të fotove seksuale online.

Mirëpo kjo formë komunikimi nuk është e sigurtë, nuk siguron zhvillimin e personalitetit me drejtim, rritjen pozitive, njohjen e vetes etj.

Pyetja “Kush jam unë?” zëvendësohet me pyetjen “Kush kërkohet të jem unë?” dhe në këtë rast pyetjes nuk kërkohet t’i jepet përgjigje se kush jam unë për miqtë e ngushtë, familjarët etj, por për një rreth tepër të gjerë dhe thuajse të panjohur dhe të painteresuar për çështje të tjera veç dukjes seksuale. Në përputhje me këtë kemi një studim të realizuar nga Baym, (2010), i cili thotë se “normat subjektive janë thelbësore në formësimin e individëve të rinj dhe pyetjet që duhet të bëjnë më shpesh kur përdorin mediat e reja të komunikimi janë: me kë, për kë, për çfarë qëllimi?”.

Cooper, një ekspert ndërkombëtar i seksualitetit në Internet (Barak & King, 2000) tregoi që tre faktorët kyç që i japin energji seksualitetit online dhe e bëjnë atë një vend joshës për kërkime seksuale njihen si Motorri Tre-A (Cooper, 1998). Faktorët e Motorrit Tre-A janë aksesueshmëria, përballueshmëria dhe anonimati. Komunikimi seksual virtual si mënyrë e lidhjes, mund të ndihmojë në lehtësimin përfundimit të marrëdhënieve, ofron një sens më të madh të kontrollit, ndihmon në të qenit të aftë për të kthyer përgjigje, si dhe për të qenë më të hapur me ndjenjat dhe dëshirat. (Cooper, McLoughlin & Campbell, 2000).

Si për të përmbyllur normat subjektive, dallojmë që me mesatare pikësh vërtet të lartë, subjektet besojnë se mesazhet/fotot/videot nuk do të shikohen nga persona të paautorizuar për t’i parë. Dërgimi i mesazheve seksuale nuk janë problem i madh dhe nuk mund të ketë pasoja negative, janë dy nga besimet e subjekteve që plotësojnë tablonë e normave subjektive të individit që i shtyjnë drejt dërgimit të mesazheve/fotove/videove seksuale. Pra, besimi se të gjithë dërgojnë mesazhe/foto/video për dikë dhe kjo nuk është problem i madh, e nuk mund të ketë pasoja negative serioze, janë ndër shtysat që nxisin të rinjtë e sotëm drejt sexting.

Përveç normave subjektive ndikim direkt kanë edhe besimet e brendshme, apo qëndrimet ndaj sexting. Pavarësisht se subjektet paraqiten me ndjenja të përziera ndaj sexting, mbizotëronin ndjenjat pozitive. Qëndrimet më të shprehura ishin: Çrregullim mendor, nxitëse, flirtues, emocion, argëtim. Qëndrimet e shprehura në terma të tillë pozitivë shpjegojnë predispozitën e subjekteve për të përdorur sexting. Qëndrime të tilla mbi sexting bëjnë që shpeshtësia e përdorimit të jetë vazhdimisht në rritje dhe në kërkim të emocioneve dhe argëtimeve.

Teoria e Veprimit të Arsyetuar (Ajzen dhe Fishbein, 1975) thekson se sexting mund të parashikohet nga një kombinim i normave subjektive të individit me qëndrimet ndaj sexting, të cilën e cilësojmë si synimi/qëllimi i sjelljes. Synimi i sjelljes mat forcën e një personi me  qëllimin për të kryer sjelljen (Ajzen & Fishbein, 1975). Në mënyrë tipike njerëzit kanë synime pozitive për të kryer sjelljen, kur ata vlerësojnë sjelljen pozitivisht dhe kur ata besojnë se personat e rëndësishëm mendojnë se ata duhet të kryejnë sjelljen (Ajzen, 1988). Për ta lidhur me shpjegimet e mësipërme, besimet e individëve se në sexting çdo gjë është normale, s’ka rrezik dhe të gjithë e përdorin, e shoqëruar edhe me presionin social për të përdorur sexting dhe me qëndrimet personale se sexting është emocionues, flirtues, nxitës dhe argëtues, rrit shpeshtësinë e përdorimit të tij në mënyrë të qëndrueshme. Përputhjet e rezultateve tona me këtë teori i mbështesim me koefiçentin e korrelacionet: Normat subjektive ndaj qëllimeve të sjelljes (α = .611, p < .01) ; Qëndrimet ndaj qëllimeve të sjelljes sexting (α =.438, p<.01); Qëndrimet ndaj sexting (α = .504, p<.01). Të tre korrelimet janë të kënaqshme dhe për më tepër vërtetojnë interpretimin e mësipërm për arsyet e përdorimit të sexting.

Mosha, gjinia dhe statusi i marrëdhënieve që nuk korrelojnë në mënyrë të rëndësishme me asnjë variabël tjetër, të gjitha variablat e tjera korrelojnë mes tyre me një drejtim pozitiv dhe me një fortësi të admirueshme në disa raste. Korrelimin më të rëndësishëm e kanë normat subjektive të personit me qëllimet e sjelljes sexting, (α = .611, p < .01). Në mënyrë të pritshme mendoj normat subjektive korrelojnë pozitivisht dhe fort edhe me qëndrimet ndaj sjelljes sexting (α = .504, p<.01) dhe vetë sjelljen sexting (α=.292, p<.01). Qëndrimet dhe sjellja sexting korrelojnë edhe mes tyre (α =.275, p<.01) si dhe qëndrimet korrelojnë me qëllimet e sjelljes sexting (α =.438, p<.01). Korrelim shumë sinjifikativ është (α =.406, p<.01). Vetëvlerësimi korrelon vetëm me qëllimet e sjelljes sexting: α = .302, p < .01. Vetëvlerësimi shfaqet jo-ndikues në predispozitën e përdorjes së sexting si formë komunikimi. Çështja nëse vetëvlerësimi është ndikues apo jo mbetet akoma e diskutueshme mes studiuesve ku studimet e njohura ndërkombëtare e paraqesin vetëvlerësimin jo ndikues.

Pasi kemi realizuar tablonë e arsyetimit të sexting është e rëndësishme të diskutohet mbi situatat kur përdoret sexting. Mesazhet dhe fotot/videot seksuale përdoren më së shumti për t’i tërhequr vëmendjen dikujt, për të filluar një bisedë erotike, për të shpërblyer partnerin, për të përmirësuar marrëdhënien dhe shpeshtësia e dërgimit të mesazheve/fotove/videove seksuale është më e madhe drejtuar: të dashurës/të dashurit, dikujt për të cilin ka pasur një dëshirë të fortë për të, dikujt me të cilin ka pasur një takim dashurie, dikujt të cilin e kanë njohur online. Nëpërmjet këtyre të dhënave arrijmë të lexojmë se rëndom sexting përdoret në fillimin e raporteve të reja intime, ose në forcimin apo përmirësimin e tyre. Marrëdhëniet intime që zënë fill dhe zhvillohen nëpërmjet sexting, që mund të jenë marrëdhëniet online, marrëdhëniet e adoleshentëve në kërkim të argëtimit etj, kanë një probabilitet të lartë për të përfunduar me pasoja serioze negative. Pasojat mund të bëjnë me prishje imazhi, demaskim publik, kërcënime të vazhdueshme për të kryer veprime në këmbim të mosprishjes së imazhit etj. Marrëdhënie të tilla nuk janë të shëndetshme si rezultat i vetë zhvillimit të tyre jo të shëndetshëm dhe jo mbi një njohje reale. Shumë prej profesionistëve të shëndetit kanë rekomanduar gjithashtu sexting për çiftet që kanë vështirësi në lidhje ose për çiftet ku një person udhëton shpesh për punë (Crawford, 2010; Golland, 2009; Leshnoff, 2009; Munro, 2010; Steinberg, 2010). Gjithsesi kur sexting bëhet forma e vetme komunikative që çiftet priren të përmirësojnë marrëdhënien apo të mbajnë atë të gjallë, ekziston mundësia që marrëdhënia të bëhet jofunksionale pas një periudhe relativisht jo të gjatë, si rezultat i varfërisë komunikative sa i përket aspektit verbal, shqisor dhe emocional që e karakterizon sexting. Ka gjithashtu shumë mendime të tjera se ka një predispozitë që sexting në fund të rezultojnë në divorc, poshtërim publik, humbje pune, dënimet për krime, dënimet me burgim të gjatë. (Brown, Keller, & Stern, 2009; Muscari, 2010; NCMEC, 2009).

Sexting është një mënyrë komunikimi relativisht shumë e re, dhe tej mase e pastudiuar. Unë besoj se pasojat e kësaj forme komunikimi duhen konsideruar realisht serioze si një ndër format më shkatërrimtare të marrëdhënieve intime nëse përdoret si formë kryesore komunikimi i ndërtimit apo mbajtjes së një marrëdhënieje. Studimet kane treguar se ndikimet dhe pasojat që sexting ka në jetën e individit mund të bëhen vërtet serioze.

Burimi: Revista PSIKOLOGJIA

Loading...